

Super Liga : Sigal Prishtina nuk e njeh Pejën
12 Tetor 2014
Derbi më i madh i basketbollit kosovar i ka takuar plotësisht Sigal Prishtinës, e cila e dërrmoi Pejën në kryeqytet me epërsi të lartë prej 21 pikëve, 87-66.
Me ethet e derbit u rikthyen edhe tifozët prishtinas që së bashku me Plisat kishin ardhur në numër të madh për ta ndjekur skuadrën e zemrës.
Bardhekaltërit me trajnerin e ri dhe transferimet e reja e nisën dukshëm më mirë çerekun e parë, teksa gjithçka rridhte përmes Dardan Berishës, që këtë vit duket se ka përgjegjësi edhe më të madhe.
Pejanët në fillim u treguan më të ngurtë dhe hasën vështirësi në realizimin e gjuajtjeve jashtë trapezit, mirëpo Drilon Hajrizi dhe Ephrem Davis lanë gjurmë duke shënuar pikë nga afërsia. Nga ana tjetër, prishtinasit ishin shumë më të saktë në gjuajtjet me tre pikë, teksa qendra Aaron McGghee i qëlloi dy prej tyre për ta përmbyllur këtë çerek me epërsi prej 10 pikëve, 26-16.
Çereku i dytë ishte pak më i ngadaltë se i pari dhe prishtinasit filluan të bëjnë gabime në sulm, duke i mundësuar Pejës që ta afrojë rezultatin deri në pesë pikë (30-35).Sidoqoftë, vendasit shtuan presionin në minutat e fundit dhe e përfunduan pjesën e parë të takimit me tetë pikë epërsi, 32-40.
Pas pushimit, vendasit u rikthyen edhe më të motivuar dhe e nisën pjesën e dytë me një seri të shpejtë prej 7-0 duke e zënë kështu Pejën në gjumë, e cila nuk po e gjente assesi lojën e saj. Me këtë ritëm Bardhekaltërit nuk u ndalën dhe e ngritën epërsinë e tyre në përmbyllje të çerekut të tretë në 17 pikë epërsi, 57-40.
Në çerekun e fundit dolën në pah dobësitë e Pejës, ku u vërejt lodhja dhe mos-efikasiteti i lojtarëve si Alban Veseli e Samir Shaptahu që humbën gjuajtje të njëpasnjëshme. Në anën tjetër, Bardhekaltërit u ndezën përmes Jordan Hulls që dhuroi spektakël për të pranishmit me driblimet dhe asistimet e tij.
Kriza e pejanëve u thellua edhe më shumë kur nga loja u përjashtuan Gerti Shima e Samir Shaptahu me nga pesë gabime, teksa vendasit e administruan me qetësi ndeshjen deri në fund për ta përmbyllur me fitore të lartë prej 87-66.
Më të fundit