top of page

Super Liga : Peja fiton heroikisht ndaj Prishtinës

20 Nëntor 2014

Superderbi i takoi Pejës, derisa Sigal Prishtina pësoi disfatën e parë të stinorit.

Peja e arriti atë që e donte shumë. Fitoren e madhe ndaj Sigal Prishtinës, për t’ia shkaktuar këtyre humbjen e parë të stinorit. 

 

Karagaçi me afro 3 mijë shikues gumëzhinte Peja-Peja, derisa në ndeshje kishte gjithçka nga basketbolli. 

Paraqitje e mrekullueshme e dy ekipeve, që janë shpirt i basketbollit të vendit tonë, derisa lojtarët luftuan deri në atomin e fundit të tyre, duke rrezikuar edhe lëndime në disa raste. 

Fillimi i furishëm dhe snajperët funksional.
 

Superderbi ia nisi furishëm. Treshe nga secila palë, shpejtë. Në njërën anë Samir Shaptahovic dhe Hrvoje Puljko, në tjetrën Dardan Berisha dhe Edmond Azemi mbanin balancin. 

Loja e shpejtë me shënime nga të dyja palët dhe precizitet në pjesë të parë, bëri që pjesa e parë të përfundojë me 10 pikë epërsi për Pejën, 51-41. 

Çereku i tretë nisi me lojë më të mirë të Sigal Prishtinës, që dalë-ngadalë ulën epërsinë pejane, në disa momente edhe në dy pikë, por sidoqoftë, Peja arriti që me Samirin, e Alban Veselin të mbahet. 

Nisja e çerekut të katërt ishte me telashe te Peja, pasi që qendra Jozo Brkic, e pak më vonë edhe Drilon Hajrizi u ndëshkuan me nga pesë gabime personale. Në këto momente Sigal Prishtina u afrua në 3 pikë epërsi, kryesisht me gjuajtje të lira të Edin Bavcicit dhe me syçeltësinë e kapitenit, Edo Azemi.
 

Drama, sekondë pas sekonde
 

Fundi dramatik i ndeshjes udhëhiqej me pikë të Veselit te Peja, derisa Dardani vazhdonte të shënonte në anën tjetër. 82-80 ishte rezultati 1.30 minuta para fundit të ndeshjes.
Dardani barazon nga gjuajtjet e lira në 82-82. Gerti Shima në sulmin tjetër bllokohet nga Gary McGhee, derisa shkaktohet faul ndaj Dardanit, për 82-84. 

Samiri kundërpërgjigjet me treshe për 85-84, 50 sekonda para fundit të ndeshjes. Dardani e bën 85-86 në sulmin e radhës, vetë. Pason një lëndim i Samirit për tu ndalur loja, pas një goditjeje te Bavcic, 18 sekonda para fundit. 
 

Alban Veseli kthen epërsinë, 87-86, nga gjuajtjet tjera të lira. Pason pushimi për taktikat e fundit nga Sabit Hadzic dhe Boris Kurtovic, 18 sekonda para fundit. 

Të gjithë vrapojnë pas Dardanit, ai pason te Muhamed Hasani i lirë, që dështon të shënojë trepikëshin dhe Peja fiton ndeshjen. 
 

Barazohen në krye
 

Samir Shaptahovic me 26 dhe Alban Veseli (rezerva e artë) me 20 pikë kanë qenë më efikasit te verdhezinjtë triumfues, derisa i pakapshmi Dardan Berisha me 36 pikë ishte koshashënuesi më i mirë i ndeshjes. 

Peja dhe Sigal Prishtina, tani kanë bilanc të njejtë me nga 8 fitore e një disfatë.

 

Statistikat individuale te Peja

 

1 Samir Shaptahovic 26 pikë 3 asistime 2 kërcime

2 Alban Veseli 20 pikë 7 kërcime 1 asistim

3 Hrvoje Puljko 11 pikë 2 asistime 1 kërcim

4 Gerti Shima 10 pikë 8 kërcime 1 bllokadë

5 Teo Simovic 9 pikë 1 kërcim

6 Jan Mocnik 7 pikë 6 asistime 1 kërcim

7 Drilon Hajrizi 2 pikë 3 asistime 2 kërcime

8 Jozo Brkic 2 pikë 2 asistime 2 kërcime

 

 

Statistikat individuale te Sigal Prishtina

 

1 Dardan Berisha 36 pikë 7 kërcime 6 asistime

2 Edmond Azemi 14 pikë 7 kërcime 2 asistime

3 Jordan Hulls 13 pikë 7 asistime 4 kërcime

4 Blerim Mazreku 11 pikë 2 kërcime 1 asistim

5 Edin Bavcic 8 pikë 6 kërcime 1 asistim

6 Gery McGhee 4 pikë 3 kërcime 1 asistim

 

Please reload

Më të fundit 

bottom of page