

Ballkan Ligë : Sigal Prishtina fiton derbin vëllazëror
9 Dhjetor 2014
Bardhekaltërit nga Prishtina e kanë fituar derbin vëllazëror kundër Vllaznisë së Shkodrës me rezultat 78-88, në kuadër të Ligës Ballkanike.
Atmosfera në palestrën Qazim Dërvishi të Shkodrës ishte mjaft impozante, teksa aty kishin ardhur edhe disa tifozë të Plisave për t’i mbështetur prishtinasit.
Prishtinasit ishin më të mirë në pjesën më të madhe të pjesës së parë, gjersa arritën të shkëputëshin edhe me 14 pikë epërsi në rezultat (20-34), mirëpo bënë disa gabime të cilët basketbollistët e Vllaznisë i shfrytëzuan për ta ngushtuar disavantazhin në fund të kësaj pjese në vetëm dy pikë, 39-41.
Pjesa e dytë ishte shumë më interesante, pasi që Vllaznia ia vështirësoi punët Sigal Prishtinës me lojë të fortë ofensive të udhëhequr nga trepikëshat e Mirza Saralijas. Sidoqoftë, në skenë doli ylli kosovar, Dardan Berisha, i cili me mjeshtërinë e tij ia siguroi fitoren e katërt në Ligën Ballkanike skuadrës së tij. Rezultati përfundimtar i takimit ishte 78-88.
Më të dalluarit te Vllaznia ishin Mirza Saralija me 29 pikë dhe Nemanja Gavranic me 15 sosh, teksa te Prishtina më i miri ishte Dardan Berisha me 29 pikë, i ndihmuar nga Edin Bavcic me 23 tjera.
Më të fundit