

Ballkan Ligë : Leshon Peja pikë në Vazhdime
10 shtator 2014
Skuadra e Pejës ka pësuar humbje të pamerituar nga skuadra Bullgare, Rilski Sport, duke u mposhtur pas vazhdimeve me tetë pikë disavantazh, 105-97.
Pejanët e nisën me shumë siguri çerekun e parë dhe këtë e tregon rezultati përfundimtar i kësaj periode që ishte 8 pikë në avantazh të tyre, 20-28.
Në çerekun e dytë bullgarët filluan të shfaqin lojë të mirë dhe arritën ta ngushtojnë disavantazhin në vetëm tre pikë kur kishin mbetur vetëm 0.8 sekonda pa përfunduar pjesa e parë, mirëpo Gerti Shima bëri mrekullinë me një gjuajtje prej koshit në kosh dhe përsëri i dha pejanëve një epërsi prej gjashtë pikëve, 39-45.
Pas pushimit të pjesëve, skuadra e Rilskit hyri më fuqishëm në lojë dhe arritën ta përmbyllin çerekun e tretë me dy pikë epërsi 63-61, për ta bërë më interesant fundin e takimit.
Çereku i tretë ishte një dramë e vërtetë. Fillimisht vendasit dolën në epërsi prej shtatë pikëve (75-68), mirëpo pejanët i riktheu në lojë Samir Shaptahoviq me dy trepikësha, teksa epërsinë në këtë çerek ua solli Rron Grapci nga gjuajtjet e lira (77-78).Këtë epërsi pejanët e humbën shpejtë, mirëpo Shaptahu si një hero i vërtetë e barazoi përsëri rezultatin(87-87) në sekondat e fundit të takimit me një solo depërtim të jashtëzakonshëm. Në aksionin e radhës bullgarët humbën gjuajtjen për tre pikë dhe kështu loja shkoi në vazhdime.
Në vazhdime, Shaptahu shënoi një trepikësh(8 gjithsej) për ta sjellë Pejën në avantazh (93-94), mirëpo pastaj Georgiev u ndez dhe i shënoi 10 pikë për t’i dhënë skuadrës së tij fitoren e pamerituar me tetë pikë epërsi, 105-97.
Më i miri në këtë ndeshje ishte padyshim Samir Shaptahoviq që shënoi 38 pikë, ndërsa te vendasit u dallua Julian Norfleet me 20 pikë dhe Zlatin Gorgiev me 19 sosh.
Më të fundit