top of page

Peja nis me humbje vitin

14 Janar 2015

Peja kthehet kokëulur nga Tivati, pasi që u mposht nga Teodoja. Viti i Ri nuk nisi mirë për Pejën në Balkan League. Ekipi i trajnerit Boris Kurtovic u mposht sonte në Tivat të Malit të Zi nga Teodoja me rezultat 78-71 në fund. 

 

Përkundër se pejanët nisën shumë mirë ndeshjen, ata në vazhdim nuk arritën t’i bëjnë ballë vendasve dhe në fund përjetuan humbjen. 

 

Vetëm fillimi i mirë

 

Peja nisi shkëlqyeshëm ndeshjen. Me pikët e Drilon Hajrizit, që u tregua të jetë në formë sonte, verdhezinjtë mbyllën çerekun e parë me epërsi 11 pikëshe, 14-25. 

 

Mirëpo, çereku i dytë solli një mbrojtje të fortë të vendasve, që iu revanshua Pejës dhe Teodo përmbylli pjesën e parë me 1 pikë epërsi. 

 

Derisa çereku i tretë përgjithësisht ishte i kujdesshëm dhe i barabartë, Teodoja ngriti epërsinë e përgjithshme në plus 3 pikë, para 10 minutëshit të fundit. 

 

E në fund, epërisa edhe pak u shtua derisa  lojtari kryesor i Pejës, Samir Shaptahovic përfundoi ndeshjen pa pikë të shënuar në 35 minutat e kaluara në parket. 

 

Banka e Teodos vendosi

 

Serbi Danilo Subalic dhe malaziasi Aleksandar Radulovic kanë qenë basketbollistët më efikas të Teodos, të cilët nuk bënin pjesë në pesëshen e parë të ekipit. 

 

Subalic përfundoi ndeshjen me 19 pikë të shënuara dhe 5 kërcime, derisa Radulovic me 16 pikë e 5 kërcime, për t’ia dhënë Teodos fitoren e dytë të stinorit në BIBL. 

 

Te Peja, më i dalluari sonte ishte Drilon Hajrizi. Mitrovicasi shënoi 23 pikë dhe regjistroi 3 kërcime, derisa atij në ndihmë i doli edhe përforcimi Luka Petkovic me 15 pikë të shënuara. 

 

Mirëpo, te Peja sonte nuk arriti më shumë Samir Shaptahovic, që përjetoi njërën ndër ndeshjet për tu harruar, pasi që nuk shënoi asnjë pikë gjatë 35 minutave të kaluara në fushë. 

 

Ndihma nga banka ka qenë minimale sonte te verdhezinjtë, ku erdhën vetëm 8 pikë, 6 nga Fisnik Rugova që debutoi për pejanët dhe 2 nga Gerti Shima. 

 

Lider ende, por në rrezik

 

Derisa Teodo shënoi fitoren e dytë dhe kërkon këndelljen në ndeshjet e mbetura, Peja vazhdon të mbetet lidere e Grupit A me një pikë më shumë dhe një ndeshje më shumë se Kumanova, që është e dyta. 

Please reload

Më të fundit

bottom of page