

Dukagjini befason Hajvalinë
26 Nëntor 2014
Futbollisti i Dukagjinit, Leorant Dakaj, ka shënuar dy gola për ta eliminuar Hajvalinë nga gara e Kupës.Nënkampionja vjeshtore e Superligës, Hajvalia, është eliminuar që në fazën e parë të Kupës së Kosovës. Ajo është befasuar nga skuadra e Ligës së Parë, Dukagjini, që arriti të fitojë me rezultat 2-1.
Fitorja e ekipit nga Klina erdhi falë golashënuesit të dyfishtë, Leorant Dakaj, i cili ishte më meritori në fitoren e skuadrës së tij.
Rrethin e parë të Kupës e kaloi me sukses edhe skuadra e Besës, e cila e mposhti në Prizren skuadrën e Lirisë. Pejanët kaluan shpejtë në epërsi 0-2 me golat e Kastriot Rexhës, derisa prizrenasit u kundërpërgjigjën me një gol të bukur të Qëndrim Gashit.
Ekipi vendas u hendikepua në fillim të pjesës së dytë kur Fitim Krusha u ndëshkua me karton të kuq, e që kjo e pamundësoi Lirinë që ta gjejë golin e barazimit.
Në përballjet tjera, fitore kanë shënuar kryesisht favoritët. Prishtina e mposhti me rezultat të thellë Ballkanin (5-0), sikurse edhe Drita Vllaninë (6-2) dhe Flamurtari Luftëtarin (4-1), kurse fitore me rezultat më të ngushtë arritën Trepça ‘89, Drenica dhe Ferizaji.
Në dy ndeshjet e zhvilluara dje, patën shënuar fitore edhe Llamkos Kosova dhe Ferronikeli, të cilët e mposhtën Tefik Çangën, përkatësisht, Rahovecin.
Nesër do të luhen edhe dy ndeshje të tjera të rrethit të parë të Kupës, ku do të takohen KeKu - Gjilani dhe Llapi - Kosova (P).
Trepça, 2 Korriku dhe Istogu janë kualifikuar automatikisht në rrethin e dytë të Kupës, pasi kundërshtarët e tyre janë tërhequr nga garat.
Më të fundit