top of page

Prizreni mbron titullin në tenis

3 Nëntor 2014

KT Prizreni shpallet kampion ekipor i Kosovës në tenis, duke e mposhtur KT Prishtinën në finale. Klubi i tenisit të Prizrenit është kampion i Kosovës në gara ekipore. 

 

 

Djelmoshat nga qyteti antik kanë arritur që të mposhtin Prishtinën në finale 4-0, edhepse takimet individuale të tenistëve kanë qenë tejet të barazpeshuara dhe emocionuese. 

 

Fitoren e parë për prizrenasit e arriti Burim Bytyqi, që edhe pse u mposht në setin e parë nga Jeton Hajdari, arriti të rikthehet duke i fituar dy setet tjera, 6-2 dhe 6-3. 

 

Teniseri më i mirë në Kosovë, Gurash Hasani, gjithashtu nuk kaloi lehtë ndaj Granit Bajraliut. Bajraliu fitoi setin e parë, por Hasani barazoi për të fituar në fund, 3-6, 6-2 dhe 6-4. 

 

I riu Meldin Mustafi shënoi fitore ndaj Arben Islamit, 2-0 në sete. Mustafi shihet si një talent i ardhshëm i tenisit në Kosovë, pasi që me 16 vjet po tregon lojëra shumë të mira. 

 

Në fund, dueli Durim Morina - Osman Reçica vetëm përcaktoi rezultatin përfundimtar, ku Morina fitoi gjithashtu 2-1 në sete, duke u rikthyer edhe ky si bashkëlojtarët e parë të tij, pasi që kishte humbur setin e parë. 

 

Me 4-0 ndaj Prishtinës, Prizreni arriti të mbrojë titullin e kampionit të fituar vitin e shkuar. 

 

Kampionati i posapërfunduar ka qenë i pesti i ekipeve të Kosovës, derisa Prizreni tani ka primatin me tre tituj të fituar ndaj Prishtinës që ka fituar 2 tituj. 

 

Kampionati ekipor i Kosovës në tenis luhet sipas rregullores së Davis Cup, ku luhen 4 takime individuale dhe 1 takim i çifteve. Fitues shpallet ekipi që arrin 3 fitore. 

 

 

Please reload

bottom of page